Një ngjarje e rëndë ndodhi pasditen e së premtes në qytetin e Lushnjës, ku nga kontakti i një vinçi me tensionin e lartë u shkaktua një shpërthim i fuqishëm në një magazinë, duke lënë pas dy të vdekur dhe shtatë të plagosur, përfshirë deputetin e Partisë Socialiste, Bujar Çela.
Gjatë kontaktit të vinçit humbi jetën në vend Roland Verçani, i cili ishte drejtuesi i mjetit të rëndë të punës.
Ndërsa disa orë më pas, ka ndërruar jetë në ambulancë ndërsa transportohej në drejtim të Spitalit të Traumës edhe djali i tij 20-vjeçar Elidoni, duke bërë që të thellohej tragjedia në familjen Hoxha.
Viktima rreth 20 vjeç, ka qenë pranë të atit, në momentin e shpërthimit. Ata kanë qenë të dy në vinç, kur ka ndodhur ngjarja e rëndë.
Njoftimi:
Rreth orës 16:05 në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Plasmasit”, në një kapanon në ndërtim dyshohet se gjatë punës, një vinçier duke drejtuar një vinç, aksidentalisht ka prekur linjën e tensionit të lartë dhe për rrjedhojë ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm.
Si pasojë e shpërthimit ka humbur jetën shtetasi L. V., dhe janë plagosur 8 shtetas mes tyre dhe deputeti B. Ç., të cilët ndodhen në spital për ndihmë mjeksore.
Menjëherë nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier dhe Komisariati i Policisë Lushnjë është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të shpërthimit.