KOSOVË- Nëna e 4-vjeçares, e cila humbi jetën në Gjakovë, tha se kur vajza e saj u nis për tu trajtuar në Prishtinë, autoambulanca nuk e ka marrë me vete, dhe pasi ajo ka vdekur askush nga stafi i spitalit nuk e ka njoftuar për vdekjen e saj.
“Autoambulanca ka ikur, nuk na ka marrë me vete, ne i thoshim na merr me vete, nuk më kanë marrë. Më thanë, jo nuk bën me ardhë me ne. Që vajza na vdekur e kemi marrë vesh në telefona, nuk na kanë treguar. Përmes Facebookut e kanë qitë, as nuk e kam ditur”, tha ajo për “Kosova today”.
Ajo tregoi se vajza ka ndërruar jetë në mëngjes ndërsa lajmin e kanë marrë vesh gjatë mbrëmjes nga fqinjët në lagje, ku shtoi se spitali e kishte numrin e telefonit dhe nuk e kanë lajmëruar.
“Ne nuk kemi ditur asgjë, vajza më ka ndërruar jetë në tetë të mëngjesit, dhe dikur në aksham kur po e shohim se krejt lagjja erdhën te dera. Unë thash çfarë ndodhi, kur po hynë këta po na tregojnë që e kanë qit aty. E kanë pasur numrin e telefonit nuk na kanë lajmëruar”, tregoi ajo.
Ajo tha se nuk i janë treguar shkaqet e vdekjes së vajzës, vetëm në Prishtinë i është thënë që vajza ka virus. Nëna e 4-vjeçares thotë se nuk e di sigurt shkakun e vdekjes, por se një apo dy javë më herët e ndjera i ishte ankuar për dhimbje të barkut.
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF i cili përfaqëson 35 organizata joqeveritare, ka reaguar me shqetësim lidhur me rastin e ndodhur. Në reagimin e KOMF-it thuhet se kjo ngjarje e paprecedentë ngre pikëpyetje serioze për përmbushjen e përgjegjësive njerëzore, mjekësore dhe etike të profesionistëve të kujdesit shëndetësor.
Sipas prindërve, vajza nuk ka marrë një ekzaminim të plotë mjekësor dhe trajtimi i duhur i saj është neglizhuar duke shkaktuar fatalitet, gjë që sipas KOMF-it ngre shqetësim dhe pikëpyetje të thella në lidhje me etikën profesionale të personelit mjekësor. Nisur nga kjo ngjarje e rëndë, KOMF-i ka bërë thirrje që institucionet përgjegjëse në përmbushje të mandatit të tyre, të trajtojnë me prioritet absolut rastin dhe të ndërmarrin në mënyrë të menjëhershme veprimet dhe masat e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi.