Një kallëzim në polici për zhdukje personi zbuloi një ngjarje mjaft të rëndë të krimit në familje. Policia e Durrësit, pas 10 ditë kërkimesh për zhdukjen e një 49-vjeçari zbuloi se kemi të bëjmë me një vrasje.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Shënavlash të Durrësit, ku në oborrin e familjes Meta, është gjetur i vrarë me armë zjarri dhe i varrosur kryefamiljari Pëllumb Meta.
Në lidhje me këtë krim policia ka arrestuar vajzën e viktimës, 19-vjecaren Hygerta Meta, studente në Tiranë për biznes, e cila sipas të dhënave paraprake policore mësohet se e ka pranuar autorësinë e vrasjes së të atit.
Sipas dëshmisë së vajzës, ajo e ka motivuar vrasjen e të atit me faktin që ky i fundit ka tentuar ta fejojë përkundër dëshirës së saj. Kundërshtitë për këtë fejesë, sipas vajzës e kanë shtyrë atë të ndërmarrë aktin e rëndë të vrasjes së të atit dhe varrosjen e tij në oborrin e shtëpisë.